Vebi Mujku nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie sociale në Prishtinë, ka thënë se ekzistojnë të dhëna që tregojnë se ka adoptime të fëmijëve nga Kosova në Serbi.
Duke diskutuar në Debat Plus me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, për dyshimet se janë zhdukur foshnje gjatë viteve ’60, Mujku ka thënë se ka vend për dyshime, pasi kemi disa raste në proces.
“Kemi disa raste që janë në proces. Jemi duke hulumtuar se a do t’i gjejmë prindërit biologjik, pikërisht sepse kanë ndodh adoptime nga Kosova në Serbi”, ka thënë zyrtari nga Komuna e Prishtinës duke shtuar se “kemi disa elemente të lidhura me rrëmbim.”
Ai ka thënë se ka një numër të konsiderueshëm të adoptimeve që janë kryer nga viti 1960, për çka edhe lënë vend për dyshime, përcjell Telegrafi.
“Sipas të dhënave që ne kemi, nga viti 1960 janë kryer 863 adoptime vetëm në Prishtinë. Deri në vitin 1999 janë kryer 580 adoptime, ndërsa tjerat janë kryer pas lufte”, ka thënë më tej Vebi Mujku.
Duke bërë një paralele me procesin e lindjeve në atë kohë dhe tani, Mujku ka thënë se në atë periudhë persona tjerë nuk janë lejuar të futen në sallën e lindjes.
“Ka qenë një periudhë kur në lindje ka marrë pjesë vetëm nëna, jo si sot që asiston edhe babai apo persona tjerë”, ka përfunduar zyrtari nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie sociale në Prishtinë./Telegrafi/
https://youtu.be/KxUxg3qvmDQ