Rastet e dhunës çfarëdo qofshin ato nuk janë të rralla në Kosovë, e një gjë e tillë vërehet nga raportimet e shumta të mediave për dukuri të tilla, ku rastet më të shpeshta të dhunës janë ato në familje. Mirëpo, jo çdo kush merr guximin dhe kurajon tu drejtohet organeve kompetente për ofrim të ndihmës.
Qendra për Punë Sociale në Prishtinë e kryen funksionin e ndihmës për këto raste. Kjo qendër me seriozitet i trajton rastet që i adresohen për tu marr me to edhe përkundër faktit që stafi që e ka aktualisht nuk arrin t’i përmbushë të gjitha kërkesat që vijnë në këtë qendër.
Vebi Mujku, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Prishtinë në një prononcim për Telegrafin, thotë se aktivitetet e kësaj qendre gjatë vitit 2021 janë rritur kryesisht, për shkak se janë rritur edhe rastet e dhunës në përgjithësi.
“Aktivitetet e QPS Prishtinë secilin vit janë duke u rrit, dhe rastet po shtohen shumë. Puna e QPS Prishtinë ka qenë e fokusuar kryesisht ne rastet e trajtimit të viktimave të dhunës brenda familjes, rasteve të shkurorëzimit, besimit të fëmijëve, realizmit të kontaktimit mes prindërve të ndare apo në proces të ndarjes, të miturit në konflikt me ligjin, fëmijëve në punë të rënda e shumë kategori tjera të klientëve”, deklaroi ai.
Tutje, Mujku shtoi që rastet më të ndjeshme për tu trajtuar janë rastet e dhunës në familje ku përveç dhunës që e përjeton nëna nga burri, në këtë rast viktimë është edhe fëmija.
“Po secili rast i ka specifikat e veçanta dhe ndjeshmërinë e vet, mirëpo rastet më të rënda janë kur kemi të bëjmë rastet e dhunës brenda familjes ku përveç gruas, viktimë është edhe fëmija. Keqtrajtimi i fëmijëve nga prindi brenda familjes, ushtruesi i dhunës duhet të përfundoj në mbajtje, kurse Nëna në hospitalizim, dhe ne detyrohemi ta vendosim fëmijën tek ndonjë i afërm apo edhe në strehimore. Puna rreth organizmit të kontaktimeve është shumë sfiduese, dhe kërkon trajtim profesional shume dimensional, dhe pasojat tek fëmijët janë afatgjate, pasoja të cilat ndikojnë si në mësime, në sjellje në shoqëri, si dhe shpesh edhe tek ndjenja apo zhvillimi imagjinatës për vetëvrasje”, shtoi tutje ai.
Në kuadër të kësaj Mujku potencoi edhe nevojën për shtimin e stafit, për shkak se sipas tij mungesa e kaudrove po shkakton mungesa në trajtimin e rasteve.
“QPS e bën maksimumin në ofrimin e shërbimeve sociale profesionale adekuate bazuar ne planin individual për secilin rast, mirëpo mungesa e kuadrove profesionale si dhe numrit të vogël të stafit mundet të shkaktojë vonesa në trajtimin e gjitha rasteve me kohë, për çka presim që gjatë vitit 2022 të kompletohemi me staf adekuat të nevojshëm”, shtoi tutje.
E për fund ai i shpalosi edhe planet e Qendrës për Punë Sociale për vitin 2022, duke e potencuar për të dytën herë nevojën që kanë për tu kompletuar me staf profesional dhe me pajisje adekuate të punës.
“Planet e QPS janë të shumta, dhe fillimisht presim që të kompletohemi me staf adekuat, me pajisje punës të cilat na mungojnë dhe të fokusohemi sa më shumë në parandalim, në ngritje të kualitetit të ofrimit të shërbimeve, por edhe në fushën e ri integrimit. Po ashtu forcimi i bashkëpunimit ndër institucional si dhe me shoqërinë civile duhet të mirëmbahet dhe forcohet, si parakusht për ofrim të shërbimeve gjithëpërfshirëse. Ngritja e kapaciteteve profesionale të stafit karshi dukurive të reja të cilat po shfaqen ne shoqërinë tonë, do të jetë pjese e planit tonë të punës”, përfundoi ai./Telegrafi/