Site icon Telegrafi

Muja: Importi i rrymës nga Serbia ka qenë zakon gjatë qeverisjes së PDK-së

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka deklaruar se blerja e energjisë elektrike nga Serbia ka qenë zakon gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Kosovës.

Sipas tij, me ardhjen në pushtet të kryeministrit Albin Kurti “Kosova kryesisht nuk blen më rrymë nga Serbia”.

Për t’i mbështetur këto deklarata, Muja ka paraqitur një grafikë me të dhënat e Doganës së Kosovës, sipas së cilave importi më i lartë i energjisë elektrike nga Serbia në pesë vitet e fundit ka qenë në 2017-tën.

“Blerja e energjisë elektrike nga Serbia: importi i rrymës nga Serbia ka qenë zakon gjatë qeverisjes së PDK-së. Me ardhjen e Qeverisë Kurti, Kosova kryesisht nuk blen më rrymë nga Serbia. GEN doo është kompani Sllovene. Kosova në vitin 2021 ka importuar kryesisht nga këto shtete: Sllovenia, Shqipëria, Danimarka, Maqedonia e Veriut”, ka shkruar Muja në rrjetin social Facebook, transmeton Telegrafi.

Tutje, ai ka thënë se patjetër duhet të formohet Komisioni Hetimor Parlamentar për energjinë elektrike, i cili sipas tij, duhet t’i hetojë keqpërdorimet e qeverisjes së PDK-së në këtë sektor.

“Ne gjithsesi duhet të kemi një Komision Hetimor për energjinë elektrike: si PDK e shiti KEDS për 26 milion euro? Si ka mashtruar PDK me kinse investimin e 300 milion euro në rrjet të distribuimit gjatë shitjes së KEDS? Pse PDK-LDK nuk investuan në renovim të Kosova A por importuan rrymë nga Serbia? Si ja dha Qeveria e PDK furnizimin e rrymes për veri EPS (ElektroPrivredaSrbije), Si detyroi PDK qytetarët e Kosovës të paguajnë faturat e rrymës në veri 2013-2016 (shtesë në fatura)! Si ka detyruar PDK në vitin 2017 KOSST të mbuloj faturat e energjisë në veri? Kush nga PDK por edhe të tjerët ka fituar kontratat dhe ka punësuar në KEK 2010-2021?”, ka shtuar deputeti i VV-së.

Këto deklarata Muja i ka bërë si kundërpërgjigje ndaj akuzave të fundit të opozitës për blerjen e rrymës nga Serbia, pas dyshimit për implikimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në një skandal financiar energjetik që përfshinë Serbinë./Telegrafi/

Exit mobile version