Telegrafi

Muhaxheri: Zgjedhja me aklamacion e kryetarit të LDK-së ishte gabim, ne kemi reflektuar

Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se kryetari i ardhshëm i LDK-së duhet të zgjidhet me votim të fshehtë.

Muhaxheri, në Debat Plus me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, i pyetur nëse mund ta zyrtarizon kandidaturën për kryetar të LDK-së, ka thënë se nuk mund ta zyrtarizoj kandidaturën pasi sipas tij një gjë e tillë mund të bëhet në Kuvendin e LDK-së që do të mbahet të shtunën.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së ka thënë se janë në diskutime e sipër për të gjetur një kandidatë konsensual, por ai thotë se kryetari i LDK-së duhet të zgjidhet me votë të fshehtë në një garë me dy apo më shumë kandidatë.

“Besoj se janë tre kandidatë të mundshëm në garën për kryetar të LDK-së”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Kryetari i Pejës ka thënë se demokracia në LDK është zhvilluar mirë vitet e fundit dhe beson se do të jetë garë të fshehtë me më shumë se dy kandidatë.

“Maturimin që e kemi bërë në këto pesë vitet e fundit kemi vërejt se kryetari i ardhshëm i LDK-së duhet të zgjidhet me votim të fshehtë, qoftë edhe ai kryetari i pakontestueshëm siç është Isa Mustafa”.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së ka thënë se zgjedhja me aklamacion e Isa Mustafës ishte një gabim dhe ky gabim është kuptuar nga partia./Telegrafi/