Telegrafi

Muhaxheri thotë se Sveçla po koordinohet me Serbinë: S’ka arrestime për armatimin e gjetur

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, thotë se Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po koordinohet me Serbinë.

“Çdo të dytën ose tretën javë del në televizion dhe thotë se është zënë ky armatim. A e ka burgos vetëm një njeri me atë armatim? A duhet të mendohet pak se ngadalë se ky qenka duke u koordinuar me ministrin e Punëve të Brendshme në Serbi”, tha Muhaxheri në Klan Kosova.

Muhaxheri gjithashtu tha se nuk pendohet për krahasimin që i kishte bërë pushtetit aktual në Kosovë, me ish-presidentin serb Slobodan Milosheviq, ku kishte thënë se pushteti i tanishëm po sillet me serbët ashtu siç kishte bërë Milosheviqi me kosovarët.

Policia e Kosovës ka konfiskuar të martën (14.05) sasi të konsiderueshme të armatimit në pjesën veriore, që dyshohet të ketë mbetur aty, pas sulmit të 24 shtatorit të vitit të kaluar në Banjskë të Zveçanit.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se Policia e Kosovës ka gjetur një arsenal të madh armësh që dyshohet se u përket grupit terrorist të Milan Radoiçiq.

“Armët që u zbuluan në këtë operacion ishin të planifikuara të përdoren për sulme kundër institucioneve të Republikës së Kosovës, veçanërisht kundër Policisë,” deklaroi ai në një konferencë për media.

Ai theksoi se zbulimi i këtyre armëve është një dëshmi e përfshirjes direkte të shtetit të Serbisë në përpjekjet për të destabilizuar Kosovën.

“Nga informacionet që kemi deri më tani, është e qartë se ka persona të tjerë të përfshirë përveç atyre të njohur”.

“Ne nuk do të ndalemi në ofrimin e sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit”, u shpreh Sveçla.