Telegrafi

Muhaxheri: Rënia e votave për LDK-në në tri komuna na nxori parti të dytë

Kryetari i Pejës njëkohësisht nënkryetar i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka thënë se rezultatet e zgjedhjeve treguan që qytetarët e duan ndryshimin dhe punën.

Muhaxheri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se në komunat ku është punuar qytetarët e kanë vlerësuar subjektin përkatës politik, përcjell Telegrafi.

“Ky është një mesazh për politik bërësit se duhet të largohen nga agjendat fiktive dhe të kthehen te puna konkrete”.

Ai ka thënë se dega e LDK-së në Pejë ka pasur më së shumti rritje në këto zgjedhje.

“Por edhe LDK-ja në këto votime është rritur më së shumti për nga numri i votave krahasuar me subjektet tjera politike”.

Muhaxheri thotë se në nivel vendi dega e LDK-së në Pejë renditet e dyta për nga numri i votave pas asaj të Podujevës.

Kryetari i Pejës ka fajësuar kandidatët e LDK-së nga Prishtina sipas të cilit ata kanë vrapuar për të fituar vota në qytete tjera duke lënë anash lobimin në kryeqytet.

Muhaxheri ka thënë se LDK ka pasur rënie në vota në tri komuna e që sipas së cilin kanë qenë vendimtare për të mos dalë si parti e parë.

“Duhet diskutuar në Këshill të Përgjithshëm, por LDK ka rënie të votave në Kamenicë, Gjakovë dhe Rahovec. Kjo rënie e votës në këto tri komuna përben atë 5 mijë votëshin që nuk na ka mundësuar të dalim të parët”.

Muhaxheri thotë se diaspora kanë votuar në mënyrë proporcionale por shton se diaspora e LDK-së ka ardhur me autobusë për të votuar./Telegrafi/