Site icon Telegrafi

Muhaxheri: Borea projekt i rëndësishëm për krejt Kosovën

Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, në një konferencë për media, ka prezantuar hapat që janë ndërmarrë deri më tani në realizimin e Qendrës Turistike “Borea”.

Ai ka shprehur urimet më të sinqerta për krijimin e kushteve të bërjes realitet të qendrës turistike “Borea”.

Borea sipas tij, është projekt i rëndësishëm për qytetin e Pejës, për regjionin e Dukagjinit dhe për gjithë Kosovën.

“Borea’ është vetëm 900 metra larg qendrës së qytetit, ndërsa pozita gjeografike e bënë atë në njërën ndër qendrat më të mira në rajon, me ç’rast për 13 minuta mund të arrihet lartësia mbidetare prej 2400 metrash, si dhe me kapacitet shfrytëzimi për të katërt stinët e vitit”, ka theksuar ai.

Muhaxheri ka thënë se të gjithë indikatorët e mundshëm shpien drejt një përfundimi – që investimi në këtë projekt është i sigurt, dhe po aq i sigurt është edhe kthimi i investimit, si dhe rrjedhimisht krijimi i një profiti të qëndrueshëm.

“Ndërsa ne falënderojmë Zotin për këtë dhuratë të çmuar të quajtur “Borea”, e që na e fali në komunën tonë, dhe po ashtu falënderojmë fuqishëm edhe
kryeministrin Mustafa, ministrin Hoti dhe tërë kabinetin qeveritar të Republikës së Kosovës, që me kontributin dhe mbështetjen e tyre të pa rezervë po arrijmë që këtë vepër kaq kapitale ta bëjmë realitet”, ka shtuar ai.

Muhaxheri ka theksuar se “Borea” do të jetë shëndeti human, ekonomik dhe kulturor i komunës së Pejës, e cila sipas tij, do të ketë impakt pozitiv edhe në imazhin e vendit tonë të dashur.

“Nga ‘Borea’ do të përfitojnë të gjithë pa përjashtim, duke filluar nga: turistët, vizitorët lokalë dhe të huaj, bizneset lokale si, fermerët, zejtarët, institucionet e trashëgimisë kulturore, etj. Ne do jemi nikoqirë të vërtetë dhe me vlera të dëshmuara të pritjes të një numri të madh vizitorësh, të cilët do të krijojnë të mira për të gjithë, me ç’rast do të ndikojnë në përmirësimin e vazhdueshëm të mirëqenies sonë. Pra realizimi i projektit “Borea”, është imperativ për një të ardhme të sigurt dhe zhvillim të qëndrueshëm lokalë dhe me efekte edhe në atë qendrorë. Peja jonë e dashur, ka qenë, është dhe mbetet e bekuar nga vet Zoti, ndërsa ne na duhet veç ta duam, zhvillojmë dhe risim kapacitetet, të cilat do të rezultojnë në krijim të kushteve sa më të mira për një jetë me dinjitet”, ka shtuar Muhaxheri. /Telegrafi/

Exit mobile version