Site icon Telegrafi

Muhaxheri: Punë e kryer, Ministria e Punëve të Brendshme do t’i takojë LDK-së

Kryetari i Pejës njëkohësisht anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka thënë se problem i vetëm mes LDK-së dhe Vetëvendosjes mbetet posti i presidentit.

Muhaxheri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se VV dhe LDK janë pajtuar dhe tashmë i kanë ndarë të gjitha ministritë.

Ai ka thënë se është zgjedhur edhe problemi i ministrive të përfolura, duke pohuar se Ministrinë e Brendshme do ta drejtojë LDK-ja, përcjell Telegrafi.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se nuk është e nevojshme që LDK të tregojë emrin e Presidentit, derisa edhe për pozitat e tjera arrihet marrëveshje vetëm në parim.

“As emrat e ministrave e as emrin e kryetarit të Kuvendit, Vetëvendosje nuk e di, por ne jemi marrë vesh vetëm në parime”.

Muhaxheri ka thënë se ka një agjendë për të lënë fajtore LDK-në si shkaktare që po vonohet formimi i institucioneve.

“Përmes presionit publik po mundohen që LDK-së t’i imponohen disa marrëveshje që nuk i konvenojnë… Këto presione vijnë nga Vetëvendosje, opinionistave që po na dalin nga partitë politike dhe subjekteve të tjera që nuk kanë qenë të interesuara që të bëhet kjo marrëveshje”.

Lexo po ashtu Muhaxheri: VV dhe LDK janë marrë vesh edhe para zgjedhjeve që presidenti dhe kryetari i Kuvendit i takojnë partisë së dytë në koalicion

Kryetari i Pejës ka thënë se LDK ka ofruar edhe alternativën tjetër, nëse Vetëvendosje do për të zgjedhur.

“Nëse nuk iu pëlqen të na japin presidentin dhe kryetarin e Kuvendit, le të na japin kryeministrin dhe le ta marrin presidentin, kryetarin e Kuvendit dhe ministritë që i duan”.

Muhaxheri ka thënë se personalisht ka qenë kundër që LDK-ja të merr Ministrinë e Punëve të Brendshme edhe për shkak të performancës së kaluar, por sipas tij me shumicë votash Kryesia e LDK-së ka vendosur për të marrë këtë ministri./Telegrafi/

Exit mobile version