Pas publikimit të sotëm nga ana e Presidencës, të 17 Tetorit 2021 si datë e zgjedhjeve lokale në Kosovë, ka folur Kryetari aktual i Komunës së Pejës Gazmend Muhaxheri.
Në një deklarim për ‘RADIO 1’, Gazmend Muhaxheri ka shprehur bindjen e plotë se do ta ruajë bastionin e tij Pejën dhe atë duke korrur fitore pa proces balotazhi.
“Ju e dini, siç jemi mësuar të shkojë puna, unë besojë që të mos ketë as balotazh deri në vitin 2054. Pas 2054-tës kur unë nuk do të garojë, ndoshta do ketë e shohim. Ju e dini kur t’ia merr dorën vështirë ndryshon.”-shprehet Muhaxheri.
Muhaxheri tutje ka thënë se përgatitjet për fitore bindëse të 17 Tetorit i ka filluar që në ditën kur e ka marrë mandatin aktual.
“Përgatitjet e mia për 17 Tetorin që u caktua sot, kanë filluar që nga dita kur i kam fituar zgjedhjet e këtij mandati në të cilin jemi. Pra kjo datë është veç kontinuitet i fitoreve tona. Do të jetë edhe një fitore e imja për mirëqenie ekonomike të qytetarëve të komunës tonë.”-tha Muhaxheri.
Kreu aktual i komunës së Pejës dhe i LDK-së në këtë komunë Gazmend Muhaxheri, thotë se nuk sheh konkurrencë në komunën e tij, meqë asnjë subjekt tjetër politik, përpos LDK-së, nuk i ka definuar kandidaturat përfundimtare, edhe pse një gjë e tillë nuk qëndron sipas subjekteve tjera.
“Nuk shoh konkurrencë, sepse nga subjektet tjera në Pejë krejt janë përfolje. Vetëm LDK e ka kandidatin që jam unë, pra i emëruar nga kryesia. Vetëm LDK ka kandidatin që dihet pë kryetar, të tjerët duhet të presin derisa të nominohen dhe emërohen nga subjektet politike të tyre.”-shtoi Muhaxheri.
Në kuadër të intervistës Muhaxheri në cilësinë e Nënkryetarit të LDK-së në nivel qendror, ka folur edhe për zhvillimet e fundit në Bruksel dhe Prishtinë.