Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri pas takimit të liderit të LDK-së me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Kosovës, Richard Grenell tha se pavarësisht asaj që u tha vet prania amerikane në Prishtinë është mesazh i qartë.
Në bisedë për ‘RADIO 1’, Gazmend Muhaxheri ka komentuar praninë amerikane në Prishtinë duke thënë se një veprim i tillë është domethënës edhe për ndërtimin e qeverisë.
“Pavarësisht asaj që u tha, vet prania amerikane në Prishtinë, prezenca e lartë tregon, mendoj unë, se mesazhi është i qartë. Zgjedhje nuk duhet të ketë dhe të gjendet zgjidhje. Pra në orët në vazhdim të shohim a do të ketë lëvizje”, tha Muhaxheri.
Pavarësisht se sipas Muhaxherit pritet të ketë reflektim, kjo sipas tij i takon Kurtit meqë tani është mandatar.
Muhaxheri ka konfirmuar se as sot nuk ka pasur zhvillime sa i përket takimeve apo kontakteve Mustafa-Kurti.
“Ne mbetemi në qëndrimin tonë. Nuk ka lëvizje dhe reflektimi i përket tani z.Kurti, ai është mandatar dhe ashtu duhet të sillet. Oferta jonë mbetet dhe është shumë korrekte. Unë nuk kam dhënë ultimatume e as nuk po jap, porse deri të dielën e kemi caktuar në mënyrë që nëse nuk ka marrëveshje me ne, atëherë të ketë kohë për negociata të tjera. Mos ti humbë koha z.Kurti”, shtoi Muhaxheri për RADIO 1.