Telegrafi

Muhaxheri: Demarkacioni kauzë e rreme e AAK-së, do ta votonin po të ishin në Qeveri (Video)

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, në emisionin “Info – Box” të RTV Dukagjini, ka thënë se çështja e demarkacionit të kufirit në mes Kosovës dhe Malit të Zi, po kundërshtohet nga ata që para tri vjetëve kanë qenë pjesë e diskutimeve për këtë çështje.

Ai ka thënë se kjo temë është çështje emocionale për qytetarët e Kosovës.

Sipas tij, rezultatet të cilat i ka dhënë Komisioni që është marrë me demarkacionin e kufirit, tregojnë se nuk janë të njëjta, siç kanë menduar qytetarët.

“Unë besoj që duhet t’i besojmë ekspertëve, do të thotë atyre që e kanë shqyrtuar këtë çështje. Këta që po protestojnë tash, kur ka filluar diskutimi për demarkacionin, kanë qenë në pushtet. Ali Berisha ka qenë kryetar i Pejës, pjesë e AAK-së. Ndërsa, Ali Lajçi, nënkryetar i kësaj partie ka qenë pjesë e diskutimeve”, ka thënë ai.

Muhaxheri ka thënë se ky alarm është dashur të jepet më herët, duke shtuar se diskutimet kanë filluar para tri vjetëve.

“Të kishin qenë në pozitë, ata që po flasin sot, e kishin kaluar këtë marrëveshje. E kanë pas nënkryetarin e partisë në bisedimet që janë bërë për demarkacionin”, ka shtuar ai./Telegrafi/