Kryetari i Pejës njëkohësisht nënkryetar i LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka thënë se gara e LDK-së në zgjedhjet e 6 tetorit ishte me PDK-në e jo me Vetëvendosjen.
Muhaxheri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se derisa PDK ka dalë në opozitë që ishte objektiv i LDK-së para zgjedhjeve nuk mund të thuhet se LDK është humbje e zgjedhjeve.
Nënkryetari i Pejës ka thënë se diferenca e vogël në vota mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit është tregues se kandidatja e LDK-së nuk është bojkotuar nga asnjë degë e partisë.
Muhaxheri ka thënë se edhe PDK edhe Vetëvendosje kanë sulmuar njeriun më të fortë që ka pasur LDK e ai ishte Isa Mustafa.
“Njerëzit e LDK-së kanë dështuar ta mbrojnë Mustafën. Flasë këtu për anëtarët e Kryesisë e më poshtë”.
Kryetari i Pejës ka thënë se Vetëvendosje i ka borxh moral LDK-së, por rrethanat e reja të krijuara na obligojmë që të ecim para në raportet me këtë parti.
I pyetur nëse Isa Mustafa do të bëhet president, Muhaxheri ka thënë se janë shumë faktorë përfshirë edhe shëndetin e tij.
“Do të ishte ndryshim i madh në raport me presidentët që ka pasur Kosova deri më tash në nivel të dijes dhe përgjegjësisë që ka, përjashtuar Ibrahim Rugovën”, deklaroi ndër të tjera Gazmend Muhaxheri./Telegrafi/