Site icon Telegrafi

Muhaxheri: Impakti i “BOREA”-s në Pejë, do të jetë deri në 100 milionë euro në vit

Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka theksuar se kompania më e madhe në botë për ndërtimin e teleferikëve e ka fituar tenderin për ta ndërtuar Qendrën Turistike dhe Rekreative “BOREA”.

Ai ka thënë në emisionin “Rubikon” në Kohavision, konsorciumi italiano – zviceran ‘Leitner AG SPA & FILAV SA’, obligohet që brenda 24 muajve ta ndërtojë “BOREA”-n.

“Dje i është dërguar shkresa kompanisë fituese, ku kërkohet prej saj, që brenda 21 ditëve të regjistrohet konsorciumi në Kosovë, dhe t’i nënshtrohet ligjeve të Kosovës.

Sipas tij, departamenti qendror i partneritet publiko privat ka treguar profesionalizëm të madh, dhe se “me ndihmën e tyre janë përcaktuar kriteret qartë”,

“Ajo se çfarë kemi kërkuar prej këtij departamenti PPP, kanë qenë tri kushte. Njëra ka qenë që kompanitë, t’i kenë pasqyrat financiare të audituara dhe me rezultat pozitiv. Kriteri i dytë ka qenë që të ndërtohet brenda dy viteve kjo qendër. Kriteri i tretë është paraparë që ndërtimin e “BOREAS”, e fiton kompania që jep më shumë përqindje nga fitimi (fee) për Komunën e Pejës”, ka shtuar Muhaxheri.

Ai ka thënë se “për dy vjet e gjysmë i kemi kryer të gjitha procedurat, që nuk kanë qenë të lehta me sjellë këtë çështje deri te finalizimi.

“Kompania më prestigjioze në botë në këtë fushë e ka fituar projektin për ndërtimin e “BOREAS”. Kjo kompani përveç prodhimit, ka edhe fond investiv, ku ka investuar në qindra projekte”, ka shtuar Muhaxheri.

Ai më tutje ka thënë se “konsorciumi e regjistron kompaninë ne vend, dhe ka afat prej 6 muajve për ta shpejguar se si do ta ndërtoj këtë Qendër. Besueshmëria është e lartë e “Leitner AG SPA”.

“Ky konsorcium do ta ndërtoj teleferikun me 68 kabina, i cili do të jetë i gjatë diku 4200 metra, dhe është teleferiku i dyte më i madh në Evrope. Diku – nëse llogaritet mesatarja për vit – 6.9 për qind të qarkullimit bruto që do ta bëjë ky konsorcium – do t’i jepet Komunës së Pejës”, ka shtuar Muhahxheri.

Më tutje i pari i Pejës ka thënë se beson “që në momentin që të nënshkruhet kontrata në mes konsorciumit italiano – zvicran; që  diku para 10 majit do te ishte dashur me u përfundu këto procedura, mbeten prej asaj periudhe, 24 muaj me u ndërtu Qendra”.

“Pas dy vjetëve Peja do të frymoj ndryshe, dhe kështu do ta ketë Qendrën më të mirë në rajon. Minimumi kjo qendër ka me i gjeneru mbi 10 milionë euro të hyra në vit. Dhe 8 deri 12 herë me shumë se kjo shifër do të jetë impakti në qytetin e Pejës. Mund të them se nga 80 deri në 100 milionë euro, do të jetë impakti i “Boreas”, në qytet./Telegrafi/

Exit mobile version