Kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka folur për zgjedhjet e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për kompensimin e orëve të humbura nëpër shkolla, si dhe për problemet që janë shfaqur në shkollën “Lidhja e Prizrenit”.
Muhaxheri tha se zgjedhjet e brendshme për fazën e parë janë hap në 22 degë nëpër Kosovë.
“Nuk është hap gara për kryetar. Janë hap vetëm zgjedhjet për 22 degë nëpër Kosovë…Jemi duke i bërë përgatitjet për sfidat që LDK-në e presin në vijim. Jemi gjithmonë përball proceseve që na presin përpara”, theksoi Muhaxheri.
I pyetur se a do të kompensohen orët e humbura nëpër shkollat në këtë komunë, për shkak të grevës së SBASHK-ut, ai tha: “Është drejtoria e arsimit që duhet t’i respektoj rregullat. Duhet të plotësohet kurrikulat e vitit siç është e paraparë. Janë në pyetje tri javë”.
Ai po ashtu foli edhe për problemin që është paraqitur në shkollën “Lidhja e Prizrenit”, ku këshilli i kësaj shkolle është duke kërkuar nga prindërit e nxënësve fonde për rregullimin e kushteve sanitare.
Mirëpo, prindërit e nxënësve kanë paraqitur ankesat e tyre për këtë gjë, ndërsa kryetari Muhaxheri tha se ia ka bërë me dije drejtorit të kësaj shkolle që punët e mëdha i kryen komuna.
“Ne i kemi thënë drejtorit që renovimet e mëdha i bën komuna. Kemi bërë marrëveshje me Rotary International, që në muajin prill të filloj riparimi i mjeteve sanitare. Nëse nuk e bën Rotary International, e bën komuna”, ka thënë Muhaxheri. /Telegrafi/