Site icon Telegrafi

Muhaxheri flet për projektet e ardhshme për qytetin e Pejës

Foto: Arkiv

Kryetari i rikonfirmuar i komunës së Pejës nga radhët e LDK-së Gazmend Muhaxheri ka dhënë intervistën e parë të gjërë për ndonjë media, pas fitores së të dielës, për ‘RADIO 1’.

Gazmend Muhaxheri intervistën e ka filluar duke falënderuar qytetarët e komunës së Pejës për besimin e dhënë në masë, për të, të dielën e 17 Tetorit.

Kreu i rikonfirmuar i komunës së Pejës Muhaxheri, ka shpalosur vizionin +4 për Pejën, saktësisht prioritetet e tij në vija të trasha, për mandatin e ri.

“Orientimi i qytetit pa fokus të popullimit centrik. Pra Peja po zgjerohet dhe do zgjerohet me plan zhvillimor. Turizmi prioritet. Rugova dhe ujësjellësi atje, por shumë atraktive mbetet Maja e zezë dhe investimet tona në atë pjesë nuk do të mungojnë. Pjesa industriale poashtu do ketë investime komunale. Ndërsa projektet e nisura do përfundohen shpejt, siç kemi shtratin e lumit, qasja në Lumbardhë, kjo e fundit jemi në procedura të fundit me 2 ose 3 pronar shtëpish dhe pronash të ndryshme. Dua të ndalem tek qendra (korzoja), edhe aty kemi pak punë që ka mbetur me shpronësime dhe përfundojmë edhe korzon me projektin ekzistues që u është prezantuar pronarëve, komunitetit dhe krejt qytetarëve.”-deklaroi Muhaxheri në ‘RADIO 1’.

Tutje Muhaxheri, garën për Pejën e ka vlerësuar të qetë dhe korrekte edhe nga kundërkandidatët.

“Ka qenë garë e qetë, ne i kemi pasur matjet tona, e kemi ditur sepse edhe kemi punuar dhe e kam pasur të qartë se komplet bindja qytetare për votë është e lidhur me punën e bërë dhe atë që pritet të ndodhë. Sa i përket kundërkandidatëve, të dy më kanë uruar atë natë me telefon, ndërsa për traditën që pyetet për urimin publik, siç ka qenë në Pejë, nuk e di, ndoshta edhe masat antiCovid 19 kanë ndikuar.”-tha Muhaxheri, kur u pyet se përse ka munguar urimi publik.

Gazmend Muhaxheri tutje ka shtuar se po insiston shumë, që LDK-ja tani të ngritet edhe në nivel nacional, konkretisht të jetë gati me program qeverisës në shumë pika konkrete.

“Unë po insistojë që me z.Abdixhiku të kemi qysh tani një program konkret qeverisës nacional me shumë pika konkrete. LDK mos të ketë program që e kryen për 2 – 3 muaj, por ta kemi qartë tek popullata se çka duam dhe kjo besoi do kryhet mirë.”-shtoi Muhaxheri.

Muhaxheri ka folur edhe për koalicioneve të mundshme lokale në Pejë.

“Ne kemi pasur në mandatet e shkuara koalcion të qëndrueshëm me PDK-në dhe mendoj se kaa qenë korrekt e stabil. Kjo çështje varet edhe nga para marrëveshjet dhe dakordancat eventuale edhe në nivel vendi, në ato komuna ku LDK është në balotazh, ku LDK mbetet në lojë.”-tha ai.

Sa i përket bashkëpunimit si kryetar i komunës së Pejës, me qeverinë Kurti, Muhaxheri tha se një gjë e tillë ka munguar me të gjithë ministrat e Kurtit, kur është fjala për Pejën.

“Unë nuk e di, asnjë ministër i Qeverisë Kurti II, nuk ka bashkëpunuar me komunën e Pejës e as me mua. Nuk kam mundur të kem takim me ministrin e infrastrukturës asnjëherë dhe kjo ishte shumë jetike për Pejën. Ja tani na duhet me ministrin e Bujqësisë, prap nuk kemi mundësi. Nuk është mirë, sepse këto po ndikojnë në projektet me interes qytetarë.”-tha Muhaxheri.

Exit mobile version