Komuna e Suharekës tashmë ka filluar me një peticion për të arritur 10 mijë nënshkrime, e që përmes tyre t’i drejtohen Kuvendit për të mbyllur lojërat e fatit.
Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, në “Dossier D” në RTV Dukagjini, ka thënë se tashmë presioni ka filluar në drejtim të tij.
“Presioni ka filluar, kanë filluar të më vijnë telefonatat. Unë vendimin e kam marrë dhe nuk ka kthim mbrapa. Qëllimi është të bëhen 10 mijë nënshkrime dhe të dërgohen në Parlamentin e Kosovës dhe ne punën si Komunë dhe unë si kryetar i Komunës do ta kryejmë”.
Muharremaj ka thënë se është shumë i kënaqur se pas këtij vendimi ka marrë mbështetjen e të gjitha subjekteve politike madje hapin e tij po e ndjekin edhe komunat tjera.
“Mora përkrahje nga Kryetari i Lipjanit i cili tha se do të mbështesë iniciativën time dhe ata do të vazhdojnë me peticione nga dita e hënë. Po ashtu edhe nga Kryetari i Vushtrrisë mora mbështetje, mos të flasë më për komunat që qeverisen nga AAK”.
I pari i Suharekës ka thënë se pas vendimit të Shqipërisë për të mbyllur lojërat e fatit, një pjesë e tyre kanë vërshuar në mënyrë ilegale në Kosovë e sidomos në rajonin e Prizrenit.
“Në Suharekë, në bazë të dhënave që kam marrë nga zyrtarët e Komunës së Suharekës operojnë ligjërisht rreth 120 qendra të lojërave të fatit”, tha ndër të tjera Bali Muharremaj./Telegrafi/