Kosova do të nis kampanjën kualifikuese në muajin mars për Kampionatin Botëror “Katar 2022”, ku bën pjesë në grupin B së bashku me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë.
Tashmë kanë filluar përgatitjet për ndeshjet e para të këtij cikli, ndërkohë që pritet të ketë risi në listën e përzgjedhësit Bernard Challandes.
Ish-ndihmësi i këtij të fundit, Muharrem Sahiti, i cili tashmë e ushtron postin e drejtorit të përfaqësueses e ka konfirmuar një informacion të tillë në një intervistë për “Kanal 10”.
“Mund të ketë risi në ardhjen e futbollistëve të rinj në Kombëtaren e Kosovës për ndeshjet e muajit mars. Jemi në pritje të dokumentacionit për disa prej tyre”.
“Përderisa nuk e kemi sinjalin e qartë se janë të pajisur me dokumentacionin ne nuk mund të japim emra, por nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë do të ketë risi në grumbullim”, ka deklaruar Sahiti në Kanal “10”.
Selektori Challandes pritet që ta publikojë listën e të ftuarve për dy ndeshjet e para ndaj Suedisë dhe Spanjës në fillim të muajit mars.
Kontaktet janë vënë me shumë prej tyre, disa kanë dhënë fjalën, ndërkohë disa të tjerë kanë lënë të shpresojmë.
“Po dëgjoj shumë deklarata dhe nganjëherë nuk po më vjen mirë. Ne kemi shter gjitha mundësitë tona që të kontaktojmë me gjithë këta futbollistë dhe të ju tregojmë projektin tonë”.
“Disa po hezitojnë, ndërkohë disa të tjerë, teksa po japin shpresë, gjithashtu po e shqyrtojnë mundësinë të luajnë edhe për vendet në të cilat janë zhvilluar. Sidoqoftë, do të vjen momenti që ata do të bëjnë zgjidhjen dhe në rast se nuk do ta zgjedhin Kosovën, ata nuk do ta kenë më respektin e njëjtë në popullin e Kosovës. Këta futbollistë duhet të kenë konsideratë ndaj atdheut, ndaj vendit të origjinës”,deklaroi fillimisht Sahiti në “Kanal 10”. /Telegrafi/