Kuvendi i Institutit të Studimeve Orientale në Prishtinë, i formuar kohë më parë, ka marrë vendim që për drejtor të këtij Instituti ta zgjedhë Muhamed Mufakun.
Prof. Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti) ka lindur në Damask, në vitin 1952. Ka diplomuar në universitetin e Damaskut në gjuhën dhe letërsinë arabe, ndërsa magjistraturën dhe doktoratën në letërsi krahasuese dhe histori i ka mbrojtur në Universitetin e Prishtinës, ku ka ligjëruar deri më 1987, kur u dëbua prej Kosovës nga regjimi i Sllobodan Milosheviqit. Më pas ligjëroi në Universitetin e Jermukut në Irbid të Jordanisë. Ishte drejtor i Institutit Shtëpia e Urtësisë dhe gjithashtu pedagog në Universitetin Al al-Bejt në qytetin e Mafrakut në Jordani, deri në pensionimin e tij më 2018. Është specializuar në historinë dhe letërsinë e popujve të Ballkanit.
Mufaku më 2005 u zgjodh anëtar me korrespodencë i Akademisë Arabe të Shkencave me seli në Damask (e themeluar më 1919) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kurse më 2012 u nderua me Medaljen e Republikës për Merita nga presidenti i Kosovës. /Koha Ditore/