Muhamed Mufaku është zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Bosnjë-Hercegovinës.
Vendimi që historiani kosovar t’i bashkohet këtij institucioni është marrë në Kuvendin e mbajtur të enjten. Kësisoj, Mufaku u bë anëtari i 21-të i jashtëm i kësaj akademie së bashku me figura të njohura ndërkombëtare.
Sipas raportit të Seksionit të shkencave humane, Mufaku u zgjodh në saje të kontributit të tij në studimet ballkanike të botuara në Lindjen e Mesme gjatë qëndrimit të tij në Jordani (1989-2018) si profesor i historisë së re, duke përfshirë edhe pesë libra për historinë kulturore të Bosnjës gjatë sundimit osman dhe në ish-Jugosllavi, si dhe disa studime të botuara në revistat shkencore. /Koha Ditore/