Telegrafi

Mufa, i preferuari i politikës për Drejtor Gjeneral të RTK-së

Konkursi për Drejtorin Gjeneral të RTK-së pritet që të shpallet më së largu nga mesi i javës së ardhshme. Këtë, për reporteri.net, e ka konfirmuar edhe Kryetari i Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi, i cili ka thënë se procedurat për përpilimin e këtij konkursi tanimë janë në fazën finale.

“Në fillim, ose më së largu nga mesi i javës së ardhshme do ta hapim konkursin”, ka thënë Paçarizi.

Burime të reporteri.net, brenda bordit të RTK-së, por edhe brenda Komisionit për Media në Kuvendin e Kosovës, tregojnë se politika do të vazhdojë të ketë ndikimin e saj në shtëpinë e vetme publike të medias në vend.

Edhe pse konkursi për Drejtor Gjeneral të RTK-së ende nuk është hapur, kandidati për këtë pozitë, thuajse është përzgjedhur. E ai, sipas këtyre burimeve, është kryeredaktori i ri i RTK-së, Mufail Limani. Përzgjedhja e tij për kryeredaktor edhe pse ishte kundërshtuar nga sindikata e RTK-së, nuk kishte mundur ta ndalojë atë të jetë në atë pozitë, duke treguar qartë se ai gëzon një mbështetje te ata që nga jashtë vendosin për mediumin e vetëm publik në vend.

Në anën tjetër, Kryetari i Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Rrahman Paçarizi, ka thënë se bordi do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë, e në fund edhe do të marr vendim se kush do ta drejtojë RTK-në në mandatin e ardhshëm, në bazë të ligjit, i cili obligon atë të jetë i pavarur në vendime.

“Unë personalisht e as anëtarët tjerë të bordit, nuk di të kenë marrë ndonjë sugjerim nga politika apo dikush tjetër se kush duhet të jetë Drejtor i Përgjithshëm i RTK-së. Neve ligji na obligon që përzgjedhjen ta bëjmë në bazë të kritereve të caktuara për kandidatin më të mirë e jo në bazë të interesave politike të kujtdo çofshin ato”, ka thënë Paçarizi, duke shtuar se prapë e drejta e votës për secilin anëtarë të bordit është individuale dhe i takon secilit që të marrë përgjegjësinë për votën e tij.

Reporteri.net ka provuar të kontaktojë edhe kryeredaktorin e RTK-së, Mufail Limani, nëse ai do të kandidojë për Drejtor Gjeneral, por nuk ka qenë i mundur kontakti me të. /Telegrafi/