Site icon Telegrafi

Mucunski për ndryshimet kushtetuese: Do të bëhen vetëm me prapaveprim

“Ndryshime kushtetuese me prapaveprim, që të mos ketë mundësi për bllokada të reja për vendin nga ana e Bullgarisë në procesin eurointegrues”.

Ky është qëndrimi i Qeverisë së Maqedonisë, në bazë të së cilit do të vazhdojnë bisedimet e mëtejshme rreth plotësimit të kushtit të Bullgarisë për futjen e bullgarëve në Kushtetutë.

Ministri për Punë dhe Tregti të Jashtme, Timço Mucunski, në intervistë për Kanal5, tha se Qeveria e re është e gatshme të zbatojë ndryshimet kushtetuese por ato të vlejnë pas anëtarësimit në BE.

“Mund të vendosen bullgarët si etni në Kushtetutën tonë së bashku me kroatët dhe malazezët, por kjo të jetë me prapaveprim deri para ratifikimit të protokolleve për anëtarësim të vendit, me atë është edhe momenti para se të bëhemi shtet anëtar, që të kemi garanci se në atë periudhë do të vlerësohemi vetëm sipas kritereve objektive dhe të matshme. I bëjmë ndryshimet kushtetuese, pas tre muajve Bullgaria të vendosë veto të re. Si do të duket legjitimiteti i BE-së në vend, para qytetarëve tani, si do të duket për legjitimitetin e procesit të integrimit europian në gjithë rajonin”, tha Timço Mucunski.

Paraprakisht kryeministri teknik bullgar, Dimitar Gllavçev, deklaroi se nuk do të bëhen më lëshime për Maqedoninë, ndërsa pas takimit me kryeministrin Mickoski në Uashington, informoi se në atë takim janë dakorduar për normalizimin e raporteve dhe të kthehen në pikën para vitit 2017. Mucunski nuk deshi të komentojë se çfarë saktë është biseduar, por tha se pret racionalitet nga pala bullgare.

“Nuk do të citoja dikë individualisht por do të thosha se ka një mendim se ka logjikë në këtë që e themi dhe se e mbrojmë edhe vetë BE-në me këtë model. Askush nuk mund të na garantojë se pala tjetër do e pranojë këtë, por gjithashtu unë besoj edhe në racionalitetin e palës bullgare”, deklaroi Mucunski.

Exit mobile version