Maqedonia do të presë zgjedhjet e ardhshme në Bullgari, në të cilat pret një rezultat pozitiv dhe demokratik, dhe pastaj në mënyrë aktive do të diskutojë me qeverinë bullgare një sërë çështjesh që prekin të dyja palët, sepse si rajon nuk kemi vetëm një të ardhme të përbashkët, por edhe obligimet e përbashkëta, tha ministri për Punë e Jashtme, Timço Mucunski nga foltorja në Këshillin e Evropës, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Pas fjalimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PSSE), Mucunski iu përgjigj pyetjeve të deputetëve dhe siç pritej, më së shumti pyetje erdhën nga deputetët bullgarë për ndryshimet kushtetuese, përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, për korridorin 8, por edhe për, siç thanë ata, dhunën e urrejtjes ndaj bullgarëve dhe organizatave bullgare në Maqedoni.
“Çështja e ndryshimeve kushtetuese ka një kontekst tjetër. Sa ndryshime të tjera kushtetuese duhet të bëjë vendi im për të vazhduar rrugën drejt BE-së? A mundet dikush të garantojë se ky do të jetë amendamenti i fundit kushtetues që do t’i kërkohet ndonjërit prej nesh për t’u bërë anëtare e BE-së”, tha Mucunski, duke iu përgjigjur pyetjes parlamentare se kur Maqedonia planifikon t’i bëjë ndryshimet kushtetuese.
Ai përsëriti qëndrimin se këto ndryshime kushtetuese nuk kanë asgjë të përbashkët me kriteret e BE-së për anëtarësim dhe shtoi se ne jemi “të gatshëm të bisedojmë me fqinjin tonë se si të ecim përpara në amendamentet kushtetuese bazuar në reciprocitet dhe mirëkuptim të ndërsjellë”.
Ai përsëriti para anëtarëve të PSSE se marrëveshjet me fqinjët, Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja e Miqësisë me Bullgarinë, janë detyrim për të dyja palët./Telegrafi/