Telegrafi

Muçi drejt hapit të madh në karrierë, kërkohet nga skuadra londineze

Ernest Muçi është duke kaluar nëpër një formë të shkëlqyer këtë edicion me fanellën e Legia Varshavës.

Sulmuesi i talentuar shqiptar ka shkëlqyer jo vetëm në kampionatin polak, por edhe në ndeshjet e Ligës së Konferencës.

Ylli kuqezi, Ernest Muçi, po kalon një moment të magjishëm në karrierën e tij, është kthyer në lider absolut te Legia, një idhull për tifozët.

Muçi u shndërrua në makth për Aston Villën në Ligën e Konferencës, në dy përballje kundër tyre, reprezentuesi shqiptar i realizoi tre gola, i fundit brenda në ‘Villa Park’ ishte fantastik.

Sipas Fabrizio Romanos,  për sulmin e Legias ka shfaqur interesim skuadra londineze Fulham.

Në fakt, Fulham ka shfaqur interesim edhe për Brojën, por kartoni i sulmuesit të Çelsit kushton minimalisht 30 milionë euro, ndërsa Muçi sipas “Transfermarkt” vlerësohet me pesë milionë euro.

Lexo po ashtu Ernest Muçi tregon sakrificën që është i gatshëm ta bëjë për Shqipërinë

Nga ana tjetër mediat polake kanë raportuar se Legia nuk do ta lejoj largimin e sulmuesit shqiptar pa fituar së paku 15 milionë euro.

22-vjeçari këtë edicion ka zhvilluar 30 ndeshje në të gjitha garat, ku ka realizuar nëntë gola dhe ka asistuar në dy të tjerë. /Telegrafi/