Telegrafi

Muaremi: Policia Financiare e Maqedonisë këtë vit ka zbuluar krime në vlerë prej 150 milionë euro

Drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi tha se Policia Financiare po përfundon hetimin për së paku dy gjykatës aktual dhe një prokuror dhe se ky hetim ka çuar në informacione të reja për gjykatës dhe prokurorë tjerë.

Vetëm këtë vit, Policia Financiare me aktpaditë penale ka zbuluar krime në vlerë prej 150 milionë euro që është për 50 milionë më shumë se vjet, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në listën e aktakuzave më të mëdha penale, 38 janë vepra penale të fshehjes së tatimit, që sipas Muaremit, më së shpeshti bëhet përmes firmave që janë hapur për këtë qëllim.

“Me Regjistrin Qendror arritëm memorandum, ku ata janë të detyruar që javë për jave të na njoftojnë për firmat që fshihen nga Regjistri Qendror për shkak të mosaktivitetit. Gjatë këtyre tre viteve, janë fshirë 30.000 firma dhe pikërisht në mesin e këtyre firmave ka që janë hapur për të fshehur tatimin”, tha Muaremi./Telegrafi/