Muaji i Ramazanit ul vaksinimet kundër coronavirusit në Shqipëri. Silva Bino pohon se në këtë periudhë agjërimi, besimtarët po refuzojnë marrjen e dozave anti-covid.
Gjatë një studimi të prezantuar pranë Akademisë së Shkencave, Silva Bino deklaroi se 60% e shqiptarëve e pranojnë vaksinimin kundër coronavirusit.
Aktualisht 11% e popullsisë kanë marrë dozën e parë të vaksinës, ndërsa 20 mijë persona, kryesisht mjekë dhe infermierë i kanë marrë të dyja dozat.
Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit nuk përjashtoi problemet e shfaqura pas vaksinimit, si me Pfizer ashtu dhe me llojet e tjera. Edhe pse nuk dha shifra të incidenteve të ndodhura në vend, këto po verifikohen nga një grup specialistësh.
Deri tani, janë administruar mbi 350 mijë doza vaksinë anti-covid. Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik po kryen studim mbi efektivitetin e vaksinës te personeli mjekësor në 5 spitale jo covid në Tiranë dhe rrethe. Nga të dhënat e deritanishme nuk rezultojnë mjekë dhe infermierë të infektuar pas dozës së dytë të Pfizer./A2 CNN