Qeveria e Kosovës i ka dhënë kohë Serbisë deri në fund të muajit mars për t’i njohur certifikatat e ADR-së të lëshuara nga institucionet e Kosovës.
Këto certifikata janë të nevojshme për transportin e mallrave të rrezikshme, siç janë nafta apo gazi natyral, shkruan sot Koha Ditore.
Qeveria e Serbisë nuk ka lejuar që autobotet e pajisura me certifikatën e ADR-së të lëshuara nga Ministria e Infrastrukturës të hyjnë në territorin e tyre.
Kjo barrierë e vendosur për importuesit e naftës është e vetmja që aktualisht po aplikon Serbia në raport me bizneset e Kosovës. Barrierën tjetër që Serbia ia kishte vendosur prodhuesit të pijeve “Fluidi” tashmë e ka hequr.
Më nuk po ia kërkon që në etiketat e lëngjeve të vendoset vendi i prodhimit “Krahina Autonome e Kosovës dhe Metohisë”. Këtë barrierë Serbia e kishte hequr disa ditë para se të mbahej takimi i CEFTA-s në Bruksel. /Telegrafi/