Telegrafi

MTI-ja nuk i publikon vendimet negative

Në linkun

http://www.mti.org/repository/docs/lista_e_re_hoteleve_licencuara_1.pdf, mund të shihet lista e hoteleve të licencuara, por jo edhe e atyre të palicencuara.

Sipas drejtorit të Departamentit të Turizmit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Bujar Kuçit, deri më tash janë licencuar 180 objekte, të cilat ofrojnë shërbime të hotelerisë.

“Aktualisht numri i hoteleve të licencuara ka arritur në 180, po ashtu këshilli ka marrë disa vendime negative, të cilat janë proceduar në Inspektoratin e MTI-së për hotelet të cilat nuk i plotësojnë kushtet e nevojshme për licencim”, pati deklaruar Kuçi për gazetën.

Ndërkaq, deklaratat e Kuçit bien ndesh me listat e publikuara në uebfaqen e MTI-së, ku aty figurojnë vetëm 110 hotele e motele të licencuara.

Komunat, të cilat prijnë me numrin e hoteleve dhe moteleve të licencuara, janë Prishtina, Prizreni, Peja, Gjilani etj.

Burime të gazetës brenda MTI-së kanë treguar se publikimi i vendimeve negative nuk është bërë qëllimisht.

“Zyrtarët e Departamentit të Turizmit janë rekomanduar nga Zyra Ligjore e MTI-së, që të mos i publikojnë vendimet negative që kanë marrë, por vetëm ato pozitive”, ka thënë burimi i gazetës, duke mos dhënë detaje shtesë.

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë për gazetën se të gjitha vendimet e qeverisë janë transparente.

“Të gjitha vendimet, të cilat merren në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, janë publike. Ndërkaq, për vendimet e ministrive nuk e di sepse nuk ka edhe rregullore për këtë çështje”, ka thënë Krasniqi.

Në Kosovë janë 300 hotele e motele, por asnjë prej tyre nuk është i kategorizuar me yje. Shumë shpesh ka pasur kritika nga klientët, se çmimet nuk përkojnë me cilësinë e shërbimeve që ofrojnë (epoka).