Telegrafi

MTI: Dy zyrtarët e arrestuar janë pezulluar nga puna

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), konfirmon se sipas urdhrit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të mërkurën, janë arrestuar tre zyrtarë të Agjencisë së Metrologjisë, e cila funksionon në kuadër të kësaj Ministrie. Pas intervistimit në Prokurori njëri prej tre zyrtarëve është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa dy të tjerët janë në mbajtje.

“Këta zyrtarë, sipas Prokurorisë, dyshohet se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar” me rastin e miratimit të tipit për njehsorin e energjisë elektrike AEL.TF 04-01, të prodhuesit Kohler nga Turqia”, thekson komunikata për media.

Bazuar në Ligjin për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, si dhe në bazë të njoftimit nga Prokuroria Themelore e Prishtinës janë supenduar dy persona nga puna.

“Dy zyrtarët që janë në mbajtje janë pezulluar përkohësisht nga puna, deri në marrjen e vendimit meritor të gjykatës. Kjo masë është parandaluese dhe nuk paragjykon rezultatin final të gjykimit”.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë mbetet e përkushtuar për sigurimin dhe respektimin e ligjshmërisë dhe do t’iu ofroj bashkëpunim të plotë organeve gjyqësore dhe prokuriale dhe do t’i respektoj vendimet e të organeve kompetente. /Telegrafi/