Mulliri “M&Sillosi” në Xërxë është duke e mbledhur pjesën më të madhe të grurit të mbjellë në rreth 70 mijë hektarë në Kosovë.
Aktualisht procesi është duke vazhduar pa telashe, ani se rendimentet nuk janë në kapacitetet më të larta.
“Ne jemi në mes të sezonit. Deri tani kemi grumbulluar 50% të kapaciteteve që mendojmë se janë në Kosovë”, tha Samir Bajraj nga “M&Sillosi”.
Por, këtu garantojnë se këtë vit do të ketë miell të mjaftueshëm për kosovarët.
“Në bazë të trendit të grumbullimit dhe importeve qe ne po sigurojmë në këtë kohë, “M&Sillosi” garanton që këtë vit nuk do të ketë krizë dhe i sigurojmë qytetarët se do të furnizohen me produktet e miellit që ne i prodhojmë”, tha Bajraj.
Para bluarjes dhe prodhimit të miellit secila ngarkesë që shkon në këtë mulli, pas peshimit, i nënshtrohet analizave laboratorike. Nga analizat e bëra deri tani del se gruri i sivjemë është i cilësisë së mirë.
“Konsumatorët sivjet do të hanë bukë të kualitetit të lartë”, tha Ramadan Deliu nga “M&Sillosi”.
Të gjithë fermerët e interesuar për deponimin e grurit mund ta dorëzojnë atë në qendrat e “M& Sillosit” në Lipjan, Suharekë, Ferizaj, Klinë dhe komuna të tjera gjithandej vendit.