Tre foshnjet e posalindura që kanë vdekur më 21 shtator në Klinikën për gjinekologji dhe akusheri në Shkup kanë qenë nga shtatzëni me rrezik të lartë që kanë përfunduar me lindje të parakohshme dhe kanë pasur peshë të vogël në lindje, ka vërtetuar komisioni i specialistëve.
Nga Ministria për shëndetësi informojnë se të gjithë këta faktorë të rrezikut e bëjnë shumë të rëndë mbijetesën e fëmijëve të posalindur dhe e rrisin shkallën e vdekshmërisë.
“Bazuar në dokumentacionin e kontrolluar mjekësor dhe bisedat me punonjësit mjekësor nga ana e Komisionit, u konstatua se është vepruar në pajtim me protokollet e parapara mjekësore, trajtim përkatës para lindjes, indikacion i saktë për përfundim me operacion të lindjes së parakohshme, kujdesi gjatë procedurave anesteziologjike si dhe terapia e duhur intensive”, thuhet në kumtesën e MSH.
Të enjten e kaluar në Klinikën për gjinekologji dhe akusheri ndërruan jetë tre fëmijë të posalindur – dy djem dhe një vajzë. Njëri nga foshnjet është lindur me peshë tepër të ulët, foshnja tjetër nga nëna me hipertension dhe infeksion, ndërsa i treti nga një shtatzëni me rrezik të lartë./Telegrafi/