Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se të dhënat e ditëve të fundit nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitari i Kosovës (QKUK dhe spitalet e përgjithshme) tregojnë se furnizimi me barna në këtë shërbim është mbi 70 për qind.
MSH thekson se si rezultat i angazhimeve konkrete, ngritjes së përgjegjësisë në menaxhimin e parasë publike dhe vendosjen e rregullit në sektorin farmaceutik, në institucionet publike shëndetësore ka një përmirësim të vazhdueshëm të furnizimeve me barna dhe material shpenzues.
“Të dhënat e ditëve të fundit nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitari i Kosovës (QKUK dhe spitalet e përgjithshme) tregojnë se furnizimi me barna në këtë shërbim është mbi 70 për qind. Gjithashtu, ka një përmirësim edhe në furnizimin me material shpenzues dhe citostatikë, të cilët së fundi, po blihen nga Ministria me çmime ekstremisht më të ultë se sa që janë blerë në të kaluarën”, thuhet në njoftim.
Sipas MSH-së, procesi i përmirësimit të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm me barna është duke vazhduar dhe këtë e siguron edhe lidhja së fundi e shumë kontratave të reja nga ana e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore për nevoja të institucioneve publike shëndetësore.
“Ministria e Shëndetësisë, krahas sigurimit të furnizimeve të reja me çmime të volitshme dhe ndërprerjes së dukurive abuzive me buxhetin e dedikuar për barna dhe material shpenzuese, ka filluar edhe procesin e revidimit të Listës së Barnave Esenciale, me qëllim që pacientëve kosovarë, t’u mundësohet qasje në terapitë e reja dhe cilësore dhe në përputhje me praktikat më të mira farmaceutike”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/