Telegrafi

MSh: Shtesat e janarit për profesionistët shëndetësor do të dalin me pagën e muajit shkurt

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se pagesa shtesë prej 10% të pagës bazë, por jo më pak se 60 euro për punonjësit e sektorit publik do të bëhet me pagën e muajit shkurt, në mënyrë retroaktive edhe për muajin janar 2022.

Përmes një komunikate për medie, MSh ka njoftuar se kjo po bëhet “për shkak se agregimi i të dhënave për një numër të madh të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës nga dhjetëra organizata buxhetore do të marr një kohë”.

“Me qëllim të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Nr.09/56, për pagesën shtesë prej 10% të pagës bazë, por jo më pak se 60 euro për punonjësit e sektorit publik (profesionistët shëndetësor dhe stafin mbështetës) deri në gjashtë muaj, përkatësisht për periudhën janar-qershor 2022; Ministria e Shëndetësisë informon se për shkak se agregimi i të dhënave për një numër të madh të profesionistëve shëndetësorë dhe stafit mbështetës nga dhjetëra organizata buxhetore do të marr një kohë, pagesa e 10% të pagës bazë, do të bëhet me pagën e muajit shkurt, në mënyrë retroaktive edhe për muajin janar 2022”, thuhet në komunikatë.

Më 26 janar 2022, Qeveria e Kosovës ka ndarë 5. 6 milionë euro për pagesën shtesë për profesionistët shëndetësor dhe stafin mbështetës në sektorin publik. /Telegrafi/