Telegrafi

MSh shpërndanë autoambulanca në QKMF-të e Prishtinës, Gjakovës, Mitrovicës dhe Gjilanit

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se ka filluar sot shpërndarjen e automjeteve të ndihmës së shpejtë për Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare të komunave përfituese: Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë dhe Gjilan.

Këto automjete MSh njofton se janë të blera nga huamarrja e Bankës Botërore dhe të prokuruara nga UNOPS (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekte).

“Vlera financiare e këtyre autoambulancave të tipit: Advanced Life Support, arrijnë shumën prej 347.490 Euro dhe ato do të ndihmojnë në avancimin e shërbimeve emergjente shëndetësore dhe do të lehtësojnë transportin e pacientëve nga niveli parësor i kujdesit shëndetësor në nivelet e tjera, në kushte më të avancuara dhe më të sigurta”, thuhet në njoftim.

Ministria e Shëndetësisë do të mbështes në vazhdimësi fuqizimin e ofrimit të shërbimeve emergjente në qendrat shëndetësore të vendit. /Telegrafi/