Telegrafi

MSH: Qytetarët mund t’i kombinojnë vaksinat kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë i informon sërish qytetarët e vendit se ata që vaksinohen kundër COVID-19 kanë të drejtë të zgjedhin llojin e vaksinës të cilën do ta marrin prej dy llojeve të vaksinave të cilat përdoren në Kosovë si Astra Zeneca dhe Pfizer BioNTech.

Gjithashtu kjo ministri njofton se, që kur ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë kundër COVID-19 (qershor 2021), qytetarëve u është lejuar, me rekomandim të Komitetit të vaksinimit edhe kombinimi i vaksinave, që do të thotë se dozën e parë mund ta marrin të vaksinës Astra Zeneca dhe të dytën Pfizer dhe anasjelltas.

Reagimi i Ministrisë së Shëndetësisë vjen pas deklaratës së infektologut Ilir Tolaj se dozën e parë të vaksinës e kishte marr AstraZeneca, kurse dozën e dytë kishte dashur ta marrë Pfizer, por sipas tij, këtë nuk ia kishin mundësuar punëtorët shëndetësorë, duke thënë i se një gjë e tillë nuk është e lejuar, transmeton Telegrafi.

“Deklaratat e kujtdo qoftë se në Kosovë nuk lejohet kombinimi i vaksinave janë të pavërteta”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë. /Telegrafi/