Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se sipas gjendjes epidemiologjike me Kovid-19 në shtet, tashmë mund të caktohen kontrollime dhe intervenime në sistemin elektronik Termini Im. Të gjitha institucionet e shëndetit publik tashmë po caktojnë terminet për kontrollimet dhe intervenime në shtator.
Sipas planit të përgatitur për punë, ndërsa në bashkëpunim me Drejtorinë për Shëndetësi Elektronike, do të thirren pacientët kontrollimet e të cilëve ishin anuluar gjatë periudhës së kaluar. Gjithashtu, të gjitha programet kirurgjike, të cilat paraprakisht ishin anuluar për shkak të gjendjes me pandeminë nga Kovid-19, do të realizohen sipas planeve dhe protokolleve të përgatitura të kolegjiumeve profesioniste, informojnë nga Ministria.
Kontrollimet e caktuara do të realizohen sipas planit dhe protokollit të përgatitur paraprakisht për punë të institucioneve, me shfrytëzim të pajisjeve të detyrueshme të mbrojtjes personale nga personeli i punësuar në të gjitha nivelet e mbrojtjes shëndetësore, respektimin e distancës fizike dhe mosgrupimit. Njëherësh, do të bëhet edhe kontrollim i detyrueshëm i rregullt mbi zbatimin e masave parandaluese dhe protokolleve të sjella për punë nga personi i emëruar përgjegjës për kontroll të Kovid-19 dhe Komisionit për Mbrojtje nga Infeksione Nosokomiale, me qëllim që të parandalohet transmisioni i infeksionit me virusin.
Në institucionin shëndetësor do të lejohet hyrja e personave me udhëzim specialistik dhe subspecialist 15 minuta para terminit të caktuar për kontroll, me çka do të lejohet hyrja vetëm e një shoqëruesi. Është e detyrueshme mbajtja e maskës mbrojtëse të pacientit dhe shoqëruesit gjatë hyrjes në institucion shëndetësor të kontrollit të caktuar ose pranim në mjekim spitalor.
Të gjitha institucionet e shëndetit publik janë të obliguar që të vendosin mjete për dezinfektim të duarve në hyrje të institucionit dhe ato të vendosen në vende që shihen nga pacientët, ndërsa një person përgjegjës i institucionit është i obliguar që të bëjë skrining termal, vlerësim epidemiologjik dhe kontroll të bartjes së maskës mbrojtëse personale të pacientëve, si dhe mbajtje të distancës fizike në vendet e pritjes në ambulanca për kontroll, qëndron në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.