Site icon Telegrafi

MSH: Nuk e kemi refuzuar ndihmën simbolike për vaksinim të mjekëve në Shqipëri, por fokusi është të fillojë vaksinimi në Kosovë

Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës ka deklaruar se nuk kanë pranuar shkresë zyrtare për vaksinimin e personelit shëndetësor kosovar në Shqipëri dhe se listën e personelit mjekësor që duan në mënyrë vullnetare të vaksinohen në Shqipëri ende nuk e kanë pranuar nga SHSKUK dhe IKSHPK.

Në përgjigjen e MSH-së dërguar Telegrafit thuhet se nuk e kanë refuzuar këtë ndihmë nga Shqipëria, por në fokus është vaksinimi të fillojë sa më parë në Kosovë.

“MSh nuk ka refuzuar këtë ndihme simbolike, por është e kuptueshme që fokusi është që vaksinimi të fillojë sa më parë në Kosovë. Deri tash, MSh nuk ka marrë ndonjë liste të personelit shëndetësor të deklaruar për të shkuar për vaksinim të organizuar në Shqipëri”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Nga MSH-ja thonë se nuk kanë pasur komunikim me shkresa, përveç kontakteve mes ministrave dhe se gjesti i Qeverisë së Shqipërisë është mirëpritur nga Ministria e Shëndetësisë.

“Deri tani shkresë zyrtare për vaksinim të personelit shëndetësor kosovar në Shqipëri nuk ka pasur, përveç kontakteve telefonike midis ministrave dhe faktit qe MSh ka mirëpritur këtë gjest të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për Telegrafin.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur po ashtu se ka kërkuar nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës që në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike ta përpilojnë listën e personelit që dëshiron të vaksinohet në Shqipëri, por që një listë të tillë ende nuk e kanë pranuar.

“MSh ka kërkuar nga SHSKUK-ja që në bashkëpunim me IKSHPK-në të përgatisin listën e personelit shëndetësor që dëshiron të vaksinohet në Shqipëri vullnetarisht, një numër simbolik sa është ofruar nga Shqipëria. Pra, varet edhe nga vullneti i personalit shëndetësor, meqë vaksina ka efekte preventive, por ligjërisht jo e detyrueshme, së paku deri tani”, thonë nga MSH-ja.

Sot gjatë ditës për Telegrafin në lidhje me këtë temë janë deklaruar edhe Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani dhe Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Hasani tha se janë në pritje të përgjigjes nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës për listën e mjekëve që kanë qenë në vijën e parë të frontit me pandeminë COVID-19, e që janë ftuar të vaksinohen në Kukës.

Ai në një deklaratë për Telegrafin ka thënë se vaksinimi duhet të bëhet në mënyrë të organizuar, për çka u shpreh se duhet të ketë një listë të punonjësve shëndetësorë, por që nuk kanë marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës.

Ndërkaq, Syla në një prononcim për Telegrafin ka thënë se është i gatshëm të shkoj vet e të organizojë këtë vaksinim, ndërkaq tha se nëse nuk ndërmerret asgjë deri në ora 12:00, atëherë do të kontaktojë vet me Ministrinë e Shëndetësisë në Shqipëri.

Syla deklaroi se dy mjek nga Kosova të cilën shkuan sot për tu vaksinuar në Kukës, nuk u është mundësuar të vaksinohen. Ata janë kthyer mbrapsht, pasi nga atje u kanë thënë se po presin listën e mjekëve që janë në vijën e parë të frontit në luftën me coronvirusin, e cila do të duhej tu dërgohej nga Ministria e Shëndetësisë së Kosovës. /Telegrafi/

Exit mobile version