Ministria e Shëndetësisë sot ka licencuar pesë laboratorë privatë për kryerjen e testeve për COVID-19. Dy prej laboratorëve janë licencuar për teste molekulare (RT-PCR) dhe tri teste serologjike.
Sipas një njoftimi për media thuhet se pas shqyrtimit të aplikacioneve nga bordi për Licencim të Institucioneve Shëndetësore Private i MSH-së kanë marrë leje për shërbimin e testimit për SARS-COV 2, përkatësisht për të kryer teste molekulare (RT-PCR) dhe teste serologjike.
“Lista e laboratorëve të cilat pas shqyrtimit të aplikacioneve nga Bordi për Licencim të Institucioneve Shëndetësore Private i MSh-së kanë marrë lejen për shërbimin e testimit për SARS-COV 2, përkatësisht për të kryer teste molekulare (RT-PCR) dhe teste serologjike”, thuhet në njoftim.
Laboratorët privatë për kryerje të testeve molekulare të licencuara janë një në Prishtinë dhe një në Lipjan.
Ndërsa, ato serologjike, janë një në Prishtinë, një në Prizren dhe një në Suharekë.
Ndryshe, laboratori mjekësor “UBT”, në Lipjan edhe më herët ishte licencuar nga Ministria e Shëndetësisë por që leja për testimet për COVID-19 ishte pezulluar për shkak të mungesës së disa pajisjeve dhe stafit profesional.
Ministria e Shëndetësisë ka thënë për Telegrafin se ky laborator ka aplikuar sërish për marrjen e vendimit për lejim të testimeve PCR.
“Ky laborator ka aplikuar sërish për marrje të vendimit për lejim të testimeve PCR, me që para disa javësh kur kishte marrë lejen nuk kishte qenë në gjendje që t’i kryejë testimet për shkak të mungesës së disa pajisjeve dhe stafit profesional për çka i ishte pezulluar vendimi për lejimin e testimeve PCR. Bordi për licencim të ISHP është duke shqyrtuar aplikacionin e ri dhe do të marr vendim shpejt për këtë institucion”, kishte thënë Ministria e Shëndetësisë. /Telegrafi/