Telegrafi

MSH: Kontratat për barna janë bërë sipas Ligjit të Prokurimit Publik

Ministria demanton pohimet se në MSH është formuar një Komision i veçantë për shkak të, siç thuhet, keqpërdorimeve dhe MSH furnizohet me barna më shtrenjtë se çdo institucion tjetër në Evropë.

MSH njofton se nga 168 artikuj farmaceutik të Listës Esenciale, për 117 artikuj është bërë krahasimi nga Komisioni për planifikim të furnizimit me barna, dhe prej tyre ka rezultuar se 101 artikuj janë më të lira se çmimet sipas BNF (British National Formulary), ndërsa 16 janë më të shtrenjta. Për 51 artikuj nuk ka pasur krahasime.

Duke shikuar vlerën totale për 117 artikuj të krahasuar (sasia 6 mujore e planifikuar e barnave nga MSH), vlera totale e çmimeve furnizuese të MSh-së për gjashtë muaj është 3.341.413 euro, ndërsa nëse u referohemi çmimeve të BNF-it, po për këta artikuj, shuma totale është 11.893.914 euro. Nga kjo rezulton se në bazë të çmimeve të krahasuara me BNF nga Komisioni për planifikim të furnizimeve me barna, MSH është më e lirë për 8.555.501 euro.

Ndërsa, sipas Komisionit, 16 artikuj të tjerë janë më të shtrenjtë se çmimet e BNF-it për 300 mijë euro.

Gjithashtu, edhe këto barna janë blerë në përputhje me Ligjin e Prokurimit dhe kriter ka qenë çmimi më i lirë i ofruar nga ofertat e pranuara dhe përzgjedhja është bërë nga oferta më e lirë sipas tregut farmaceutik në Kosovë.

Kontratat për furnizime me barna do të vazhdohen në përputhje me procedurat e parapara në Ligjin e Prokurimit Publik, nevojat e institucioneve shëndetësore, kurse prioritet i MSH-së do të jetë vazhdimisht sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm me barna për institucionet shëndetësore, sipas buxhetit në dispozicion. /Telegrafi/