Site icon Telegrafi

MSh-ja hap konkurs për 350 specializantë, shumica prej tyre pritet të jenë anesteziologë

Ministria e Shëndetësisë ka hapur konkursin e ri për specializime për 350 kandidatë dhe numri me i madh është për anesteziologët, pasuar nga mjekësia emergjente dhe neonatologët.

Kështu bëri të ditur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia sot në një konferencë për media, bashkë me drejtuesin e Bordit për Shkollim Specialistik, dr. Edmond Haliti.

Vitia tha se Udhëzimi i ri Administrativ do t’i eliminojë mungesat e hasura, do të mundësojë një sistem më të mirë të shkollimit specialistik dhe do të rregullojë një herë e mirë çështjet e përgjegjësive të specializantëve në lidhje me respektimin e kontratave të nënshkruara, etj.

Numri i specializimeve do të mbështetet në tri kriteret bazë: Kuadrin deficitar; Kapacitetet Mentoriale; dhe Kapacitetet infrastrukturore.

“Në kuadër të kësaj, Bordi për Shkollim Specialistik, ka arritur të përpilojë “Ditarin e Specializantit”. Po ashtu, në bashkëpunim me Departamentin e Sistemit të Informimit Shëndetësor, ka përpiluar Data-bazën apo Modulin Elektronik. Këto metoda do të shërbejnë për monitorimin dhe evidentimin e punës së specializantit gjatë shkollimit specialistik, e që deri më tani e gjithë kjo ka qenë e evidentuar në një librezë e cila i ngjan asaj të stazhit postdiplomik”, tha Vitia.

“Duke marrë parasysh numrin e madh të specializantëve në konkursin e vitit 2020, mbi 1 mijë e 500 specializantë, pa planifikime strategjike duke tejkaluar planifikimin e burimeve njerëzore pa e evidentuar paraprakisht kuadrin deficitar dhe pa asnjë parashikim të kapaciteteve mentoriale dhe infrastrukturore, ka bërë që të mbingarkohen disa klinika. Po ashtu, janë krijuar edhe mungesa të kuadrit profesional në disa lëmi të tjera. Jemi dëshmitarë se në disa drejtime specialistike të Klinikës së Stomatologjisë, numri i specializantëve për një mentor klinik shkon deri 14 specializantë, ku sipas Udhëzimit Administrativ 05/2017 (neni 47) thuhet se një mentor klinik mund të ketë nën mbikëqyrje jo më shumë se 3 specializantë”, theksoi ai.

Si pasojë e kësaj, Vitia shtoi se “ne sot në planifikimet e bëra, e kemi të pamundur të shtojmë numrin e nevojshëm të specializimeve, sidomos në lëmit deficitare, për arsyen e mos tejkalimeve buxhetore”.

Ndërkaq Edmond Haliti, kryesues i BQSHS tha se me rastin e planifikimit të këtij konkursi janë konsultuar platforma të ndryshme ligjore dhe përvojat e vendeve të suksesshme dhe është bërë një zgjidhje optimale për t’i përmbushur nevojat e institucioneve shëndetësore të vendit.

Në kuadër të këtyre planifikimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, në bazë të vlerësimit nga Departamenti i Burimeve Njerëzore dhe Departamenti i Zhvillimit Strategjik, është vendosur që më këtë konkurs të ndahen rreth 350 specializime për lëmi kilnike, nga Mjekësia familjare dhe për nevoja të institucioneve shëndetësore private.

Të gjithë specializantët që do të pranohen në kuadër të Institucioneve Publik Shëndetësore, do të financohen nga Institucionet përkatëse, sipas kërkesave të tyre drejtuar Ministrisë për nevoja për stafit profesional. /Telegrafi/

Exit mobile version