Site icon Telegrafi

MSH-ja e dinte fituesin para se ta shpallte tenderin 2.6 milionë eurosh

Përmbajtja e letrave të shkëmbyera në mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe QKUK-së ka lënë të kuptohet se të dy këto institucione e kanë ditur, ende pa nisur procedurat, se cila kompani do të jetë fituese e tenderit në Klinikën e Kardiologjisë dhe Radiologjisë, shkruan sot Koha Ditore.

Madje përfaqësuesit e kompanisë austriake “Vamed” të shoqëruar nga Ramadan Halimi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, në shtator të vitit 2015 janë pritur kundërligjshëm nga zyrtarët me të lartë të QKUK-së për të parë hapësirat e Klinikës së Kardiologjisë dhe Radiologjisë.

Kompania e cila është zgjedhur fituese e tenderit “Modernizmi i Klinikës së Kardiologjisë Invazive”, që kap vlerën prej 2.6 milionë eurosh, vizitën në QKUK e kanë zhvilluar më datën 5 shtator, disa ditë para se në Austri të shpallet tenderi.

MSh-ja përcjelljen e delegacionit të kësaj kompanie e ka konsideruar pjesë të “dosjes së tenderit”, por tenderi, nga dokumentet që ka siguruar “Koha Ditore”, nuk ka qenë fare i hapur në kohën kur delegacioni e ka vizituar QKUK-në. /Telegrafi/

Exit mobile version