Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se gratë shtatzëna kanë mundësi të përjetojnë simptoma më të rënda të infeksionit nga COVID-19.
Sipas një njoftimi nga MSh thuhet se vaksinat krijojnë imunitet si te gratë shtatzëna ashtu edhe tek nënat gji-dhënëse.
“Studimet kanë dëshmuar se nënat e vaksinuara kanë antitrupa në qumështin e gjirit, përmes të cilit i sigurojnë mbrojtje edhe foshnjës. Për shkak të rritjes së numrit të varianteve të virusit (SARS COV-2) dhe rëndësisë së mbrojtjes së grave shtatzëna dhe nënave gji-dhënëse, vaksinimi i tyre ka rëndësi në parandalimin e infektimit, sëmundjes së rëndë, shtrimit në spital dhe lindjes së parakohshme”, thuhet në njoftimin e MSh-së.
Gjithashtu MSh ka treguar se çfarë ndodh nëse një shtatzënë infektohet me COVID-19.
Sipas njoftimit thuhet se nëse një grua gjatë kohës që është shtatzënë infektohet me COVID-19 atëherë mund të ketë: rrezik më të lartë të komplikimeve shëndetësore, nevojë për mbështetje me oksigjen, nevojë për kujdes intensiv dhe rrezik më të lartë të lindjes së parakohshme. /Telegrafi/