Site icon Telegrafi

MSH apelon për respektim të masave kundër gripit

Duke qenë se është sezoni kur rastet e gripit sezonal shënojnë ngritje, sikur që mund të pritet të ketë edhe raste të tjera të gripit A H1N1, ministria e Shëndetësisë konsideron se masat parandaluese janë të thjeshta dhe ato mund të zbatohen nga secili.

Ministria e Shëndetësisë i ka ndërmarra të gjitha masat që janë rekomanduar nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për menaxhimin e pandemisë së gripit A/H1N1, ndërsa me qëllim të përballimit edhe të rasteve të gripit sezonal, MSH ka ngritur gjatë këtij viti numrin e vaksinave, të cilat po shpërndahen përmes qendrave të mjekësisë familjare te qytetarët e vendit.

OBSH u ka dhënë prioritet disa vendeve në zhvillim në marrjen e një sasie falas të vaksinave kundër gripit A/H1N1 dhe në këtë aspekt, një kontingjent i këtyre vaksinave që u dedikohen këtyre vendeve, pritet që në dhjetor të shpërndahen edhe në Kosovë, ndërkohë që MSH do t’i ndjek të gjitha procedurat e kërkuara, që të blihet pjesa tjetër e vaksinave sipas planifikimeve të mëhershme dhe rekomandimeve të OBSH-së.

MSH rikujton ndërkaq, se vendi posedon sasi të konsideruara të medikamentit Tamiflu, i cili mund të përdoret për trajtimin klinik të rasteve të reja eventuale të gripit A/H1N1.

Në ndërkohë, në Kosovë do të vazhdojnë aktivitetet parandaluese ndaj gripit A/H1N1, derisa Ministria i porosit qytetarët e vendit që të jenë të kujdesshëm dhe të zbatojnë disa këshilla praktike, por të cilat shpëtojnë jetë.

Lajmërimi i menjëhershëm të mjeku më i afërt në momentin e paraqitjes së simptomave të para të dyshimta, pastrimi i rregullt i duarve me sapun, largimi nga ambientet shumë të frekuentuara dhe të mbyllura, shmangia e kontakteve me njerëzit që kanë shenja gripi, mbulimi i gojës dhe hundës në rastet kur teshtihet, mbajtja e higjienës në shkolla, institucione e shtëpi, etj, janë disa nga masat e thjeshta, por me të cilat qytetarët mbrojnë veten dhe të tjerët. /Telegrafi/

Exit mobile version