Site icon Telegrafi

MSA-ja nuk u zbatua, kritikohen institucionet për mosvullnet politik në fushën e sundimit të ligjit

Kosova ka mbetur mbrapa në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), duke përmbushur vetëm pesë nga 22 prioritetet e Agjendës Evropiane. Kështu mendon Demush Shasha nga Instituti i Kosovës për Politika Evropiane (EPIK).

Ai në një prononcim për Ekonomia Online tha se Kosova nuk ka arritur t’i bëjë reformat në shumicën e fushave që kërkohen me këtë marrëveshje.

“Agjenda Evropiane e Reformave u lansua në nëntor të 2016 dhe tani tre vite më vonë, vetëm 5 prioritete janë përmbushur plotësisht nga 22, do të thotë është statistikë apo indikatori i dytë i cili tregon që ka një mungesë të thellë të vullnetit politik për të zbatuar MSA-në”.

“Institucionet e Kosovës, tani tre vite e gjysmë të zbatimit të MSA-së kanë treguar një perfomancë të dobët të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe kur e them këtë, e them duke pasur parasysh që nga raportet e vet institucioneve, nga raporti i fundit vjetor i Qeverisë për zbatimin e MSA-së, vet institucionet kanë pranuar që 1/3 e obligimeve që është dashur të përmbushen gjatë vitit 2018 nuk janë përmbushur, prandaj kjo është statistika e parë që na tregon se ekziston një mungesë e vullnetit politik për të zbatuar reformat në rrugën Integruese të Kosovës, e dyta është mungesë e vullnetit politik për të zbatuar prioritetet kyçe që kanë dalë nga Agjenda Evropiane e Reformave”.

E Rreze Hoxha Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLSP), thotë se 64 për qind e masave të parapara janë zbatuar në plotni ose 24.6 për qind e tyre.

“Zbatimi i MSA-së për vitin 2018 është shoqëruar me përqindje të ndryshme mund të thuhet se 64 për qind të masave të parapara janë zbatuar në plotni ose plotësisht pastaj 24.6 për qind të masave janë përmbushur pjesërisht ndërsa rreth 11 për qind të masave janë ose të papërmbushura ose ne nuk kemi arritur të përgjigje nga institucionet konkrete lidhur me përmbushjen e tyre”.

Sipas saj, moszbatimi i këtyre masave është si pasojë se nuk ka pasur koordinim të mirë ndërmjet ministrive.

MSA-ja është marrëveshja e parë kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian e cila ka hyrë në fuqi më 1 prill të vitit 2016.

Përmes kësaj marrëveshjeje, Bashkimi Evropian kërkon nga një vend që synon anëtarësimin në BE, të sigurojë se mekanizmat e tij qeverisës dhe të shoqërisë civile t’i përmbushin standardet e BE-së.

Exit mobile version