Site icon Telegrafi

MSA-ja, mundësi e mirë për prodhuesit kosovarë

Këshilli i Bashkësisë së Evropës ka miratuar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim (MSA) dhe ka konfirmuar nënshkrimin e saj më 27 tetor të këtij viti, e cila pritet të jetë një mundësi e mirë edhe për prodhuesit kosovarë, sepse do t’ua hapë rrugën prodhimeve vendore edhe në tregjet e BE-së.

Vlerësohet se MSA-ja, që konsiderohet si kyçe në raportet e Kosovës me BE-në për bashkëpunimin politik, do të kontribuoi edhe për shkëmbimin tregtar. Mirëpo, vlerësohet se cilësia e produkteve kosovare duhet të jetë më e lartë dhe në harmoni me standardet e tregut të BE-së.

Burim Piraj, pronar i fabrikës së përpunimit të mishrave “Meka”, thotë se sa i përket aspektit tregtar MSA-ja është një mundësi shumë e mirë për prodhuesit kosovarë, sepse do të krijohen lehtësira eksportuese. Ai thotë se Kosova ka prodhime cilësore dhe ka filluar të bëhet shumë konkurruese në tregjet e jashtme, ndërsa e vetmja gjë, e cila ende e pengon prodhuesin kosovar të eksportojë më shumë janë kapacitetet e pamjaftueshme prodhuese.

“Prodhuesit kosovarë tani më i kanë marr masat e duhura në lidhje me përmirësimin e cilësisë duke i zbatuar standardet bashkëkohore të cilësisë siç janë, HACCP dhe ISO apo më mirë të themi të gjithë ato standarde që janë zbatuar edhe në UE”, thotë Piraj.

Me eliminimin e barrierave që shpesh i kanë adresuar bizneset, ai thotë se do të ngritët cilësi nga prodhuesit në mënyrë proporcionale dhe kompanitë vazhdimisht do të jenë në kërkim të tregjeve. Por, sipas tij, institucionet duhet të jenë krah tyre në eliminimin e barrierave që mund të paraqiten në vende të ndryshme dhe se vetëm atëherë do të jenë në gjendje të fillojnë me eksport më serioz.

Por se a ka Kosova prodhime për tregun e BE-së, Valdet Gjinovci, kryeshef i Agjencisë Veterinës dhe Ushqimit (AVU), ka thënë ditë më parë për KosovaLive se me mbështetje të institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare prodhuesit vendorë kanë përparuar në drejtim të ngritjes së standardeve dhe cilësisë së produkteve ushqimore, përfshirë ato me origjinë bimore dhe shtazore.

“Tek produktet me origjinë shtazore kemi një avancim tek të gjithë përpunuesit dhe prodhuesit vendorë, duke u nisur nga pajisjet dhe teknologjia moderne për përpunimin e produkteve, si dhe në investimet në përmirësimin e infrastrukturës higjeno-sanitare”, thotë Gjinovci.

Nëse krahasohet koha e para 15 viteve dhe me atë të tashmen, ai thotë se prodhuesit vendorë përveç që do ta furnizojnë tregun vendor, do të jenë në gjendje edhe të eksportojnë sasi të konsiderueshme të produkteve ushqimore në vendet për rreth dhe në ato të BE-së. “Prodhuesit janë duke i plotësuar kriteret dhe standardet si ato ISO Standardet dhe HASAP të cilat iu ofrojnë dhe sigurojnë garanci edhe produkteve të tyre, por edhe konsumatorëve të vendeve tek të cilat i eksportojnë produktet”, ka thënë ai.

Kosova eksporton një sasi të produkteve ushqimore. Por, kuptohet që vendet e BE-së kanë politikat e tyre, ku disa produkte nuk i lejojnë që të eksportohen për atje, duke marrë parasysh që vendi ende çalon në disa kushte dhe parakushte të cilat duhet të përmbushen nga prodhuesit.

Shikuar statistikat e marrëveshjes së lirë tregtare (CEFTA), Kosova nuk qëndron mirë me eksportin e vendeve të BE-së. Sipas raportit të CEFTA-së, gjatë vitit 2014 Kosova ka eksportuar mallra në vendet e BE-së në vlerë prej 95.6 milionë euro. Ndërsa ka importuar në vlerë prej 728 milionë euro.

Hafiz Gara, kryeshef i Agjencisë Kosovare për Standardizim (AKS), ka thënë se prodhuesit vendor duhet t’i adoptojnë standardet evropiane t’i kenë si material bazik me të cilat do të punojnë dhe ta rrisin kualitetin e produkteve që të jenë më konkurrues në tregun e BE-së. Ai thekson se Kosova ka produkte për tregun e BE-së.

“Për rritjen e cilësisë së produkteve, prodhuesi kosovar duhet të fus në përdorim standardet përkatëse. Standardet janë dokumente vullnetare, por garantojnë rritje të sigurisë dhe cilësisë së shërbimeve dhe produkteve. Përfitimi nga implementimi i standardeve është i sigurt, ngaqë standardet krijojnë besim te konsumatori, ofrojnë konkurrueshmëri të ndershme, dhe mundësojnë pushtim më të lehtë të tregut brenda dhe jashtë”, ka thënë Gara, se duke shtuar janë diku mbi 6 mijë standarde të cilat do të testohen në AKS.
Ndërsa, Muhamet Disha, ekspert i standardizimit thotë se trajnimi i përhershëm i prodhuesve dhe përpunuesve është një parakusht i rëndësishëm për përparimin e vërtetë dhe plotësimin detyrave dhe programit kombëtar për anëtarësim në BE.

Për të plotësuar një nga kërkesat thelbësore të vendeve kandidate: ruajtjen dhe promovimin e mbrojtjes së mjedisit, është e nevojshme një mbështetje e fuqishme e të gjitha institucioneve relevante kombëtare dhe menjëhershme për të zgjidhur bazën legjislative. Ai saktëson se vetëm produktet e certifikuar mund të gjejë rrugën e saj në tregun e BE-së.
“Për të përmirësuar pozitën e eksportit të ndërmarrjeve në sektorin e bujqësisë dhe ushqimit, kompanitë duhet të inkurajohen për zbatimin e sistemeve të cilësisë dhe sigurisë së ushqimit (HACCP). Për të mbështetur këtë proces duhet një platformë për mbështetjen e implementimit të sistemeve të cilësisë si, ISO 9001, ISO 22000 me parimet HACCP, GlobalGAP, IFC, BRC dhe të tjerët”, thotë Disha.

Komuniteti i biznesit vlerëson se shumë produkte janë të përgatitura për tregun e Evropës, ndërsa MSA-ja është një mundësi e mirë që të hiqen të gjitha barrierat për prodhim vendi dhe për të marrë miliona konsumatorë nga tregu i Evropës.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), ka thënë se një marrëveshje e tillë duhet të analizohet nga dimensione të shumta, efektet nga ky anëtarësim janë shumta, sepse sipas tij, është promovim i Kosovës, mundësi për investitorë të huaj dhe rrugëtimit të Kosovës drejt familjes evropiane.

Sa i përket produkteve vendore për tregun e BE-së, ai thotë se komuniteti i biznesit në veçanti sektori privat ka investuar në ngritje të kapaciteteve, në certifikim dhe standardizim të cilat janë kritere bazë në tregun evropian dhe beson që me ato potenciale që kanë prodhuesit do të depërtojnë me produkte.
“Nuk kemi arsye për kënaqësi, por duhet të punojmë më tepër dhe të investojmë më tepër në kualitet e mbi të gjitha në shtrirjen e gamës së produkteve ‘Made in Kosova’, e që mundësitë e tilla ekzistojnë”, thotë Gërxhaliu.

Ka disa vende të BE-së të cilat paraqesin barriera si ato të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk njohin dokumentacionin kosovar, të cilat ua pamundësojnë prodhuesve vendorë që të eksportojnë në ato vende. /KosovaLive/Telegrafi/

Exit mobile version