Telegrafi

Mrika Krasniqi nderohet me “Gruaja e Vitit 2016” nga Kongresi Amerikan

Artistja dhe ndërmarrësja shqiptare në Amerikë, Mrika Krasniqi është nderuar si “Gruaja e Vitit 2016” nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. NY Elite Magazine shkruan se ajo, si një grua e jashtëzakonshme, është nderuar për arritjet në art, film dhe biznes.

Më 21 prill të këtij viti, senatori Charles Schumer ka njohur përpjekjet e Mrika Krasniqit për të forcuar lidhjet kulturore dhe biznesore ndërmjet SHBA-ve me Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Italinë. Me kërkesë të po këtij senatori, mbi ndërtesën “Capitol Hill”, selia e Kongresit Amerikan, ka valuar flamuri amerikan për Mrika Krasniqin, “Gruaja e Vitit 2016”, transmeton Koha.net.

Mrika Krasniqi njihet në komunitetin shqiptar në Amerikë si aktiviste me shumë aktivitete. Ajo ka qenë pjesë e Konkursit Ndërkombëtar të Skenaristëve, Javës së Filmit Shqiptar në New York dhe Javës Shqiptare të Modës në New York. Vitin e kaluar ajo ka marrë çmimin “Artistja më e Mirë Humane 2015” nga Komuniteti Evropian i Artistëve Hebre në Paris, Franca.