Telegrafi

Mrekulli në Gjermani, treni kaloi sipër burrit të dehur – nuk pësoi as edhe lëndimin më të vogël

Një burrë 37-vjeçar nga Gjermania ishte jashtëzakonisht me fat, mbi të  cilin kaloi një tren në stacionin hekurudhor në Baknang, rreth 30 kilometra larg Shtutgartit.

Burri i dehur jo vetëm që mbijetoi, por nuk pësoi asnjë lëndim trupor, transmeton Telegrafi.

Policia federale gjermane tha se burri po qëndronte i dehur në platformën 4 të stacionit të trenit, të shtunën në mëngjes. Rreth orës pesë ra në shina dhe mbeti i shtrirë mes tyre.

Burri, i cili më vonë u zbulua nga një test alkooli se kishte më shumë se 1.6 promil alkool në gjakun e tij, mbeti i shtrirë midis shinave për rreth 30 minuta, ku më pas kaloi treni mbi të.

Drejtuesi i trenit ka pikasur 37-vjeçarin të shtrirë në shina dhe menjëherë ka frenuar, por nuk ka arritur të ndalojë në kohë trenin, ndaj ka kaluar mbi të dehurin.

Mirëpo, duke qenë se i dehuri ishte shtrirë mes shinave, treni as nuk e preku, kështu që ai nuk pësoi asnjë lëndim. Punëtorët e hekurudhave gjermane arritën ta tërhiqnin atë në platformë. /Telegrafi/