Telegrafi

Mr. Rex prezanton koleksionin e ri “Galaxy”

Stilisti i njohur, Mr. Rex, është rikthyer së fundmi me një koleksion të ri, pas një mungese të gjatë në sjelljen e koleksioneve.

Ai përgjatë një interviste në emisionin “1 kafe prej Shpisë”, ka rrëfyer se kjo mungesë u shkaktua nga pandemia COVID-19, mirëpo tashmë është gati të sjellë kreacionet e tij të reja për publikun.

“Përndryshe mezi kam pritur të bëhet koleksioni i ri dhe ta bëj prezantimin, sot jemi duke e bërë prezantimin e koleksionit tim më të ri ‘Galaxy’ që nënkupton universin dhe gjithësinë. Kryesisht mbizotëron ngjyra e zezë në të gjithë koleksionin, e cila në këtë rast paraqet hapësirën e universit dhe shkëlqimet me detajet me gur të çmuar i paraqesin yjet dhe planetët e universit – ky pak a shumë është koncepti”, ka thënë ai.

Tutje, stilisti emri i vërtetë i të cilit është Rexhep Zylfiu thotë se për kundër pushimit, pandemia ndikoi për mirë në të pasurit kohë për të shtjelluar kreativitetin dhe për të menduar rreth koleksioneve të reja.

Mr. Rex, shton se koleksioni i ri “Galaxy” përfshin veshje edhe për femra dhe meshkuj, teksa shton se aty mund ta gjejnë veten edhe maturantët apo pjesëmarrësit e dasmave.

Fotografitë e koleksionit janë realizuar nga Veton Osmani, teksa ekspozimi i kreacioneve është bërë edhe në rrjetet sociale të stilistit.

Ato mund të blihen fizikisht në dyqanin e Mr. Rex, por gjenden edhe online. /Telegrafi/