Ministria për Punë dhe Politikë Sociale dhe Agjencia për Punësim në partneritet me UNICEF dhe UNDP ka filluar trajnimet intensive për menaxhim të integruar të rasteve sociale.
Nga MPPS thonë se kjo është një nga elementet kyçe në reformat e mbrojtjes sociale, me çka vendoset sistem i shërbimeve sociale në shoqëri që ofrojnë shërbime dhe përkrahje sipas nevojave dhe kushteve të individit, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Kjo nënkupton se person profesionist do të menaxhojë me rastin dhe do të ketë obligim të ndjekë rastin social, gjegjësisht familjen në tërësi. Në këtë mënyrë, nëpunësi social në mënyrë shumë më të mirë do të jetë i informuar për gjendjen e familjes, do të ndjekë përparimin, por edhe vështirësitë në jetën e përditshme.
Gjatë muajve të ardhshëm të gjithë nëpunësit në qendrat për punë sociale dhe 30 për qind nga numri i përgjithshëm i të punësuarve në agjencinë për punësim do të kalojnë trajnime për menaxhim të integruar të rasteve sociale, si pjesë e përgatitjeve për zbatimin e Ligjit të ri për mbrojtje sociale./Telegrafi/