Telegrafi

MPMS i jep AKB-së 100 mijë euro për Berzën e Punësimit

Ky projekt i dizajnuar nga Ministria e Punës ka për objektiv zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e shkëmbimit të informacioneve në mes subjekteve të tregut të punës, harmonizimin më të mirë të ofertës dhe kërkesë në tregun e punës si dhe krijimin dhe avancimin e marrëdhënieve me partnerët.

Projekti “Berza e Punësimit” është tanimë tradicional i shtrirë në disa pjesë të Kosovës duke startuar këtë vit edhe me organizimin e kësaj berze në Komunën e Mitrovicës dhe Ferizajt, që më parë nuk ishin.

Ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale Nenad Rashiq tha se MPMS do të mbuloj shpenzimet e këtij projekti në vlerë prej 100 mijë euro, ku do të mbuloj shpenzimet e planifikuara për realizimin e këtij projekti siç është përgatitja e fletëpalosjeve, përgatitja e informatave të tregut të punës, raportin mbi punën dhe punësimin si dhe raportin e performancës.

Obligimet që e ngarkojnë AKB-në janë të natyrës tekniko-administrative, reklamimin në media, sigurimin e kontratave të punës, hulumtimin dhe identifikimin e kompanive në tërë territorin e Kosovës për mundësinë e afrimit të shërbimeve të panairit të punësimit si dhe hulumton praktikat e mira nëpër vende të ndryshme së paku një në regjion e një në EU për rritjen e suksesit të projektit.

Gjendja reale e ekonomisë së Kosovës në krahasim me vendet në zhvillim dhe ngecja në fushat e punësimit është domosdoshmëria e një projekti të tillë, ku përmes këtij projekti synohet të punësohen punëkërkues të sektorëve të ndryshme me qëllim të një kontributi në zbutjen e papunësisë në vendin tonë. /Telegrafi/