Telegrafi

MPJD nuk i jep leje ministrit serb për të hyrë në Kosovë

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka refuzuar kërkesën për hyrje në territorin e Kosovës, ministrit të Sportit të Serbisë, Vanja Udoviçiq.

Lajmin e kanë konfirmuar për Telegrafin nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

“Ju konfirmojmë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nuk e ka aprovuar kërkesën e ministrit të Qeverisë serbe për të hyrë në Republikën e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së.

Theksojmë se para disa ditësh, MPJD ia kishte refuzuar kërkesën për hyrje edhe ministres së Punës në Serbi, Darija Kisiq-Tepavçeviq.

Tepavçeviq, nuk ishte lejuar të hyjë në Kosovë në vendkalimin kufitar.

Siç është raportuar Tepavçeviq kishte planifikuar të mbante një provim me studentët e vitit të tretë në Departamentin e Epidemiologjisë në Fakultetin e Mitrovicës së Veriut. /Telegrafi/